Furnizoi Britaninë e Madhe me kokainë, riatdhesohet bosi shqiptar i krimit Furnizoi Britaninë e Madhe me kokainë

Erald Mema, 39 vjeç, ishte dënuar me 25 vjet për rolin e tij në një operacion ‘të madh’ të kontrabandës së drogës.

Erald Mema u dënua me 25 vjet burg për rolin e tij në operacionin ‘e madh’ të kontrabandës së drogës. Sipas The Telegraph” bosi shqiptar i krimit që përmbyti Britaninë e Madhe me kokainë mund të lirohet vite më herët në bazë të një marrëveshjeje transferimi për të lehtësuar krizën e mbipopullimit të burgjeve.

Erald Mema, 39 vjeç, i cili u dënua me 25 vjet burg për rolin e tij, në operacionin “enorm” të kontrabandës, do të vuajë më pak se gjysmën e dënimit pasi do të transferohet në një burg shqiptar – ku do të ketë akses në një dhomë për bashkëshortët.

Ai është një nga afro 40 kriminelët më të rrezikshëm të Shqipërisë të dënuar në Angli dhe të përzgjedhur për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në vendin e tyre sipas një marrëveshjeje në të cilën Britania e Madhe po i paguan Shqipërisë më shumë se 4 milionë paund për t’i rikthyer ata.

Mema u dënua në vitin 2018 për kontrabandë kokaine me vlerë miliona paund në Mbretërinë e Bashkuar si bos i një grupi të krimit të organizuar, për të cilin gjyqtari tha se “përfitoi masivisht nga ai që ishte një operacion i madh droge”.

Ai u transferua në një burg të sigurisë së lartë në Shqipëri sipas një marrëveshjeje të krijuar për të trajtuar mbipopullimin e burgjeve duke lejuar deri në 200 nga kriminelët më të këqij të Shqipërisë, përfshirë vrasës, përdhunues dhe baronë të drogës, të përfundonin dënimet e tyre në vend.

Sipas marrëveshjes, dënimet e dhëna për kriminelët në Mbretërinë e Bashkuar duhet të përputhen me politikën penale shqiptare, e cila mbart vetëm një dënim maksimal prej 15 vitesh burg për trafikantët e drogës si Mema.

Nëse do të kishte mbetur në Britani, do të lirohej në gjysmë të dënimit 25-vjeçar.

Skema e transferimit me Shqipërinë u lançua për të reduktuar numrin e të burgosurve të huaj në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e masave për të trajtuar krizën e mbipopullimit mes frikës se burgjeve mund t’i mbarojë hapësira.

Më shumë se 10,000 të huaj – një në tetë nga totali – mbahen aktualisht në burgjet në Angli dhe Uells. Shqiptarët përbëjnë kontigjentin më të madh me 1,323 të burgosur.  Ministria e Drejtësisë vlerëson se do të kushtojë 5 milionë euro në vit nëse transferohen të 200 të burgosurit më të rrezikshëm shqiptarë. Ministria thotë se marrëveshja do të kursejë paratë e taksapaguesve sepse kushton gati 40,000 paund në vit për të strehuar një të burgosur në Angli dhe Uells.

Masa është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të dëbuar shqiptarët e burgosur për krime në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas një marrëveshjeje të veçantë, kriminelët shqiptarë do të lirohen deri në një vit më herët dhe do t’u jepen grante prej 1500 paund për risistemim nëse pranojnë të deportohen dhe të mos kthehen më në MB.

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn