Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden është infektuar me koronavirus dhe ka simptoma të lehta, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësja e tij për media, Karine Jean-Pierre, ka thënë se presidenti amerikan është i vaksinuar dhe ka dozë përforcuese kundër virusit që shkakton sëmundjen COVID-19.
Biden është infektuar edhe dy herë tjera me këtë koronavirus në të kaluarën.
Përmes një postimi në X – i njohur më parë si Twitter – Biden i ka falënderuar të gjithë për urimet për shërim të shpejtë, ndërsa ka thënë se do të vazhdojë të punojë për popullin amerikan.
Presidenti amerikan, 81-vjeçar, është parë të mërkurën duke vizituar mbështetësit në Llas Vegas dhe ka mbajtur një fjalim aty.
Megjithatë, ai e ka anuluar një fjalim që ishte paraparë të mbahej më vonë, në kuadër të fushatës presidenciale.
Infektimi i tij vjen në kohën kur Biden po përballet me presion në rritje për të hequr dorë nga gara për një mandat të dytë presidencial, për shkak të moshës që ka.