Theu masën e sigurisë, arrestohet nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, Ariel Rraja

Policia ka arrestuar 24-vjeçarin Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja, i cili theu masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Ariel Rraja është arrestuar ditën e djeshme dhe ishte në kërkim për dhunën që së bashku me babain e tij ushtroi ndaj Kujtim Cacës dhe të birit. Ngjarje kjo e ndodhur në tetor të 2024. Konflikti midis Flamur Rrajës dhe Kujtim Cacës nisi për një kanal.

Raportohet se policia ka shkuar për të kontrolluar nëse ndodhej në banesë në zbatim të masës së sigurisë të caktuar ndaj tij, por nuk e kanë gjetur.

Ndaj, Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Ndërkohë është proceduar penalisht edhe babai i tij, Flamur Rraja, si edhe 26-vjeçari me iniciale E. T., pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat.

Njoftimi i plotë i policisë: 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Ariel Rraja, 24 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Në vijim të veprimeve për këtë rast, janë proceduar penalisht shtetasit F. Rr., 56 vjeç dhe E. T., 26 vjeç, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat.

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn